Zgjeruesit e temës së foljes në gjuhën shqipe si njësi jomorfemore
In: Studime filologjike, Heft 3-4, S. 129-146
Zgjeruesit e temës së foljes në gjuhën shqipe dalin si përbërës të konstrukteve foljore sintetike. Për analizën e këtyre konstrukteve do t'i shmangemi interpretimit të strukturës si lidhje sintagmatike e bazuar në inventarin e morfemave dhe në mundësitë kombinuese të tyre. Struktura morfologjike e foljes, por edhe e fjalës në përgjithësi, do të shihet jo si fryt i operacioneve kombinuese të morfemave, por si shprehëse/përfaqësim i një modeli të caktuar eptimor, i ngjizur si gjedhe konjitive1. Duke u nisur nga modeli morfologjik, nga natyra dhe rruga e përftimit të tij, mund të përcaktojmë saktësisht jo vetëm njësitë që marrin pjesë në formimin e strukturës morfologjike të foljes, por edhe natyrën e tyre në përputhje me funksionin përkatës që ato përmbushin brenda saj. Përcaktimi se "Morfologjia nuk është sintaksa e morfemave; morfemat luajnë një rol të dorës së dytë në lidhje me rregullsitë morfologjike." (Booij, 2019:2), qëndron në themel të këtij këndvështrimi, sipas të cilit, nuk janë morfemat dhe mundësitë kombinuese të tyre që krijojnë ligjësitë morfologjike, por janë modelet, përkatësisht gjedhet konjitive, ato që i japin kuptim bashkimit dhe kombinimit të morfemave.