Kostaq Cipo për kompozitat e shqipes
In: Studime filologjike, Heft 3-4, S. 39-46
Në fondin e kontributeve gjuhësore të Kostaq Cipos për gjuhën shqipe, një vend të veçantë, brenda fushës së fjalëformimit, zënë dy artikuj studimorë për kompozitat: "Rreth disa kompozitave"1 dhe "Kompozitat determinative"2 të botuar përkatësisht në nr. 1 dhe 2-3 të revistës "Buletini i Institutit të Shkencave" të vitit 1948, ku trajtohen dy grupet e mëdha të kompozitave të shqipes: kompozitat këpujore (kopulative) dhe kompozitat determinative. Të dy këta artikuj, si vijim i njëri-tjetrit, janë të lidhur organikisht dhe përbëjnë një studim të vetëm për dy grupet e mëdha të kompozitave: të fjalëve të përbëra dhe atyre të përngjitura, të cilat dallojnë nga formimet e prejardhura për mënyrën e formimit, për mjetet fjalëformuese, për mekanizmin e përftimit të kuptimit etj. Pikërisht në këtë kontekst, të dy artikujt janë ribotuar në përmbledhjen "Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe"3 nën një titull të vetëm, "Rreth disa kompozitave".